Drejt përfundimit “Rijetëzimi i fasadave në qendër të qytetit Dimal dhe segmenti rrugor që lidh qendrën me shëtitoren përreth lumit Osum”

191

Fondi Shqiptar i Zhvillimit është drejt rehabilitimit të plotë të fasadave në qytetin e Dimalit, si dhe ne proces asfaltimi të segmentit që do të mundësojë një vazhdim me shëtitoren përgjatë lumit.

Aktualisht ka përfunduar shtrimi me binder i segmentit rrugor, veshja me polisterol dhe suvatimi me grafiato i pallateve dhe po punohet për sistemimin e shëtitores.

Përgjithësisht zona karakterizohet nga banesa kolektive (pallate 5 katëshe), të cilat në katet e parë janë përshtatur në ambiente shërbimesh si dyqane, lokale, ushqimore, zyra, etj.

Deri më tani janë realizuar rreth 80% e punimeve. Në shumë prej ndërhyrjeve të zhvilluara deri më tani, në rang vendi kryesisht në drejtim të përmirësimit të blloqeve urbane është vërejtur se përmirësimi i imazhit estetik ndikon pozitivisht në vlerën e objekteve të përfshira dhe zonës në tërësi. Në këtë kuadër hapësira e rivitalizuar kthehet në opsionin kryesor për tregun e pasurive të paluajtshme, prej qerave më të larta për shërbime e deri në rritje të çmimit në shit/blerje apartamentesh. Përdorimi i materialeve më të mira dhe respektimi i procedurave gjatë procesit të ndërtimit sigurojnë një zgjidhje afatgjatë kundër amortizimit ekzistues dhe problematikave të sigurisë.

Përpos qendrës, lëvizja mund të vijojë dhe pranë shëtitores së lumit Osum, me një panoramë natyrore e qetësi larg qytetit, kjo përmes rikonstruksionit të segmentit që ndihmon qarkullimin si të automjeteve e këmbësorëve.