Dunat e Nartës, më të vjetrat në Ballkan

55

Dunat e Nartës njihen si dunat më të vjetra në Ballkan, të cilat luajnë një rol mjaft të rëndësishëm në mbrojtjen e qëndrueshmërisë së tokës dhe parandalimin e përmbytjeve në zonë. Dunat janë të lëvizshme në varësi të stuhive dhe erës në një zonë të caktuar. Ruajtja e tyre dhe e bimëve si Ammophila arenaria, të cilat e mbajnë një dunë të qëndrueshme është e rëndësishme.

Laguna e Nartës, një ndër lagunat më të mëdha në vendin tonë, ndodhet në veri-perëndim të qytetit të Vlorës. Dunat gjenden në perëndim të lagunës, në brezin ranor që ndan lagunën me detin. Ato janë një grup dunash ranore, të formuara nga veprimi i erës, një nga ekosistemet me vlera të mëdha natyrore, të konsideruara si monument natyre.

Dunat ranore së bashku me bimësinë karakteristike të tyre, luajnë një rol mjaft te rëndësishëm në mbrojtjen nga stuhitë detare, erozioni dhe nga përmbytjet. Mbi to ka bimësi barishtore, por edhe shkurre kripëdashëse të vogla.

Dunat kanë vlera shkencore (gjeomorfologjike), estetike, turistike dhe ekonomike, pasi mbrojnë tokat- arë në lindje që të mbulohen me rërën që sjell era nga plazhi etj.

Përveç kësaj, dunat shërbejnë si habitate për breshkat e detit, të cilat në zonat ku ka lartësi mbi nivelin e detit gjejnë siguri për hedhjen e vezëve të tyre.

/ata.gov.al