Durrësi ka numrin më të lartë të të punësuarve në industri – Si ndahen punësimet në Tiranë, Vlorë, Lezhë e Durrës

19

Pjesa më e madhe e të punësuarve në Tiranë është në sektorin e shërbimeve, ndërsa punësimi në bujqësi zë një përqindje shumë të vogël.

Sipas treguesve të publikuar nga Instituti i Statistikave, në vitin 2021, në qarkun e Tiranës, shërbimet punësojnë pjesën më të madhe të të punësuarve gjithsej, 68,7 % të tyre, raporton INSTAT.

Në këtë qark 26,7 % e të punësuarve gjithsej janë të punësuar në sektorin e industrisë dhe vetëm 4,6 % e tyre punojnë në bujqësi.

Qarku i Durrësit ka rreth 39,4 % të të punësuarve të angazhuar në sektorin e e industrisë, duke shënuar qarkun me numrin më të madh të punonjësve në këtë sektor, 46,5 % në sektorin e shërbimeve dhe 14,1 % në sektorin e bujqësisë.

Në qarkun e Lezhës dhe Vlorës respektivisht 47,7 % dhe 48,2 % e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e shërbimeve, 26,9 % dhe 28,4 % në sektorin e industrisë dhe 25,3 % dhe 23,3 % në sektorin e bujqësisë.

Në qarqet e tjera të vendit është punësimi në bujqësi ai që zë një peshë të konsiderueshme me 44 % e më shumë.