“E bukura e dheut” e pranishme në Parkun Natyror “Korab-Koritnik”

16

“E bukura e dheut”, emri shkencor i të cilës është Salamandra është dokumentuar në natyrën e bukur të Parkut Natyror “Korab-Koritnik”.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura Salamandra u dokumentua nga punonjësit e ADZM Dibër.

“E bukura e dheut” është më aktive kryesisht përgjatë natës dhe gjatë ditën qëndron më së shumti e fshehur në vende me hije, trungje etj, vende të cilat i sigurojnë mbrojtje dhe lagështi.

Salamandra është 15 deri në 25 cm e gjatë, me disa individë që i kalojnë 30 cm si dhe një peshë mesatare prej 19.1 gramë. Janë lloje ektotermike. Trupi i saj i karakterizuar nga një simetri bilaterale, është i zi me shenja të verdha ose portokalli në formën e njollave diskrete, njolla të mëdha ose breza. Pjesa e poshtme është zakonisht gri e errët me më pak njolla. Gjatësia e trupit tejkalon gjatësinë e bishtit.

Periudha e riprodhimit është nëntor-dhjetor. Gjendet në Evropën Qendrore dhe Jugore, si dhe në Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme.

Preferon pyjet e lagështa, veçanërisht ato me shumë hije; pellgje ose përrenj.

“E bukura e dheut” më herët është dokumentuar edhe në Parkun Kombëtar të Llogorasë.

/ata.gov.al