Ekonomia shqiptare duket se po jep shenjat e para të rimëkëmbjes pas goditjes nga pandemia e COVID-19.
Eksportet shqiptare drejt tregjeve ndërkombëtare shënuan një rritje prej 6,2% gjatë muajit korrik, krahasuar me muajin qershor, bën të ditur Instituti i Statistikave (INSTAT).
Sipas raportit mbi tregtinë e jashtme të publikuar sot, në muajin korrik eksportet e mallrave arritën vlerën e 25 miliardë lekëve.
Referuar të dhënave, eksportet ishin 11,6% më të ulëta, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por ato ishin 6,2% më të larta në krahasim me qershorin e këtij viti.
Edhe importet e mallrave shënuan rritje gjatë korrikut me 8,3% krahasuar me qershorin. Ato arritën vlerën e 56 miliardë lekëve. Importet gjatë korrikut ishin 5,6% më të ulët, në krahasim me një vit më parë.
Deficiti tregtar i këtij muaji është 32 miliardë lekë, duke u ulur me 0,3%, krahasuar me korrikun e 2019 dhe duke u rritur me 9,9%, në krahasim me qershorin e këtij viti.