Ekspertët e ISSH: Ja mënyra më e mirë për të parandaluar gripin

27
Mother taking care of her sick daughter

Sëmundja e gripit shkaktohet nga viruse të gripit, të cilat mund të përhapen shumë shpejt në ambientet e mbyllura.

Gripi është një sëmundje virale që mund të shkaktojë komplikacione të rënda dhe vdekje sidomos tek personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, fëmijët dhe të moshuarit megjithëse për shumicën e njerëzve është sëmundje kalimtare.

Nëse keni rrufë apo grip, shkoni në shtëpi dhe pushoni, konsultohuni me mjekun tuaj dhe merrni masa mbrojtëse që mund të zvogëlojnë rrezikun e gripit.

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik bëjnë apel për ruajtjen e higjienës vetjake, shmangien e përdorimin e panevojshëm të antibiotikëve si dhe shmangien e kontakteve të ngushta me njerëzit. Shenjat më të zakonshme të gripit janë: temperaturë e lartë, kollë, dhimbje fyti. Shenja të tjera të mundshme janë: lodhje, dhimbje koke, të përziera, të vjella, dhimbje barku, rrjedhe të hundëve, dhimbje muskujsh etj.

“Godasim gripin duke u kujdesur për veten. Mos e nënvlerësoni gripin.
Sa herë nuk ndjeheni mirë, konsultohuni me mjekun. Nëse keni vështirësi me frymëmarrjen, drejtohuni menjëherë tek mjeku”, -rekomandojnë ekspertët e ISHP-së.

Mënyra më e mirë për të parandaluar gripin është vaksinimi ndaj tij. Vaksinimi i përvitshëm është shumë i rëndësishëm dhe ndihmon në mbrojtjen e shëndetit individual dhe atë të komunitetit që na rrethon. Vaksinimi kryhet në çdo kohë, gjatë periudhës që viruset e  gripit qarkullojnë.