Ekspertët: Si duhet të vendosim dhe heqim maskën që të mos rrezikojmë infektimin

51

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale pas marrjes së vendimit për përdorimin e maskës në mënyrë të detyrueshme në ambientet e mbyllura, ka publikuar edhe udhëzuesin për mënyrën e heqjes së maskës, me qëllim mos rrezikimin nga ky virus, në çdo situatë të mundshme.

Ministria ka ripërsëritur edhe njëherë apelin për të respektuar detyrimin ligjor që ka tanimë çdo qytetar, për të mbajtur maskë në çdo ambient të mbyllur.

“Vendos maskë, kufizon përhapjen e COVID-19. Është shumë e rëndësishme të dimë si të vendosim, përdorim, heqim maskën dhe ku duhet ta hedhim atë pas përdorimit.Ju lutemi ndiqni udhëzimet”, informon Ministria.

Por cila është mënyra sesi duhet ta heqim maskën?

“Pastroni duart me solucion me bazë alkooli duke i fërkuar me njëra-tjetrën ose lajini me ujë dhe sapun. Mbuloni fytyrën dhe hundën me maskë dhe sigurohuni të mos lini hapësira mes maskës dhe fytyrës. Gjatë përdorimit evitoni prekjen e maskës me duar. Nëse e prekni lani duart me sapun dhe ujë ose fërkojini me njëra-tjetrën me solucione me bazë alkooli. Zëvendësoni maskën me një të re sapo të ndjeni që është qullur dhe mos e përdorni përsëri maskën njëpërdorimshme. Kur ju duhet ta hiqni maskën: hiqeni duke e kapur nga pas, mos e prekni maskën nga përpara. Hidheni menjëherë në një kosh të mbyllur, pastroni duart me solucion me bazë alkooli duke i fërkuar me njëra-tjetrën ose lajini me ujë dhe sapun”, udhëzon ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtëse Sociale.