Eksportet bujqësore bëjnë “boom”/ Arritën në 22.1 miliardë lekë në gjysmën e parë të vitit

82

Eksportet e produkteve bujqësore shqiptare, veçanërisht frutat dhe perimet gjithnjë e më tepër po i drejtohen tregjeve ndërkombëtare.

Gjatë gjysmës së parë të këtij viti eksportet e produkteve bujqësore shënuan rritje me më shumë se 3.2 miliardë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), raporton se eksportet e produkteve bujqësore llogariten 22.164 milionë lekë. Sipas raportit, në të njëjtën periudhë të vitit 2020 eksportet e produkteve bujqësore ishin 18.950 milionë lekë.

Rritja e eksporteve të këtyre produkteve vjen e gjitha falë investimeve të bëra në sektorin bujqësor, veçanërisht për kultivimin përmes serrave që krijojnë një avantazh për Shqipërinë.

Shqipëria ka rreth 1700 hektarë serra dhe tunele plastike për prodhimin e produkteve bujqësore.

Sektori i bujqësisë është ndër sektorët me kontributin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto, rreth 20 %. Në Shqipëri në vitin 2013 punoheshin afro 125 mijë ha tokë, ndërsa sot punohen 250 mijë ha tokë.

Eksportet bujqësore, në total janë rritur nga rreth 100 milionë dollarë në fund të vitit 2014 në 400 milionë dollarë në fund të vitit 2020, ndërsa parashikohet të shkojnë në mbi 1 miliard në katër vitet e ardhshme.