Eksportet bujqësore u rritën me 10% gjatë 11-mujorit të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të nxitura nga shtimi i kërkesës dhe diversifikimi i tregjeve të eksportit në vendet e BE-se.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në totalin e eksporteve bujqësore kryesojnë fruta perimet, agrumet, bimët mjekësore, për të vijuar me produktet e detit dhe ato të industrisë agropërpunuse.
Bujqësia, kontribuon gati me mbi 19% në Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe ka rezultuar sektori më pak i ndikuar nga situata e pandemisë COVID-19.
Në kushtet e situatës së vështirë që ka krijuar pandemia COVID-19, sektori i bujqësisë ka pasur një avantazh konkurrues në aspektin e qëndrueshmërisë së rritjes pozitive.
Ndërsa politikat e reja lehtësuese dhe programet e financimit në 2021, për fermerët dhe sipërmarrësit e këtij sektori pritet t’i japin një hov të ri zhvillimit të bujqësisë në tërësi.
Konkretisht lehtësimi nga barra fiskale i naftës së përdorur fermeri pritet të ketë ndikim direkt në rritjen e aktivitetit bujqësor, konkurrueshmërinë e produkteve dhe eksporteve bujqësore, ashtu si dhe përdorimin e më tepër mjeteve për punimin e tokës.
Sot një fermer paguan 160 lekë për një litër naftë, por nga 1 janari i 2021-it fermeri e përfiton naftën me 50% të vlerës ose 80.4 lekë më pak.
Efekti në buxhet si rezultat i kësaj nisme të qeverisë llogaritet 1 miliard lekë. Përfitues do të jenë rreth 70 mijë fermerë në të gjithë vendin.
Ndërkohë programet e financimit të drejtëpërdrejtë në bujqësi janë një impakt dhe mbështetje si asnjë herë më parë në këto 30 vite për bujqësinë shqiptare.