Eksportet e këpucës “Made in Albania” rriten me 20% arrijnë në 360 mln euro

287

Mbyllja e ciklit në disa kompani shqiptare të prodhimit të këpucës, përveçse ka rritur vlerën e shtuar në ekonominë vendase, ka rritur ndjeshëm eksportet e artikullit drejt vendeve të tjera.

Të dhënat nga doganat tregojnë se eksporti i këpucës “Made in Albania” gjatë 11-mujorit ka arritur në 48 miliardë lekë, me rritje  me mbi 20% nga viti i kaluar.

Veshjet e këmbës  janë shndërruar në kalorësin e eksporteve të shqiptare duke zënë këtë vit 20% të totalit. Rritja e tyre ka kompensuar rënien drastike të eksporteve të naftës dhe mineraleve, të cilat po vuajnë nga çmimet e ulëta të tregut ndërkombëtar dhe mungesa e kërkesës.

Industria e prodhimit të këpucës ka marrë hov të madh pasi prodhuesi më i madh në vend “Doniana” realizoi ciklin e  mbyllur tre vite më parë. Pronarja dhe administratorja, Donika Mici, më parë është shprehur për ‘Monitor’ se fitimet nga prodhimi me cikël të mbyllur janë të paktën 20% më të larta.

Gjithashtu ajo ka shpjeguar se nëse do të incentivoheshin nga qeveria do të zhvillohen edhe 70 linja biznesesh që mund të prodhonin artikujt mbështetës për prodhimin e këpucës. Me një forcë të re punëtore dhe tashmë të kualifikuar, Shqipëria është konkurruese për shërbimet e fasonit.

Prodhuesit pohojnë se, tashmë ka ardhur koha për ciklin e mbyllur, duke kërkuar mbështetje për përpunimin vendas të lëkurës. Sot ky artikull importohet gati 100%, por sikur të prodhohet në vend përveçse do të rriste më tej punësimet, do të shtonte vlerën e fitimeve në ekonominë shqiptare.

Përveçse me partnerin tregtar tradicional, Italinë, eksportet e këpucës “Made in Albania” tashmë janë prezente edhe në rajon, sidomos në Serbi.

Burimi: Revista Monitor