Eksportet e mallrave/ Rritje me 35,6 % në 2021-ishin, ja shtetet me të cilat tregtojmë

13

Eksportet e mallrave në 2021-shin arritën vlerën 369 miliardë lekë, duke u rritur me 35,6 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 801 miliardë lekë, duke u rritur me 32,3 %, krahasuar me një vit më parë.

INSTAT publikoi sot raportin mbi tregtinë e jashtme për vitin 2021.

Referuar të dhënave të publikuara eksportet përgjatë vitit 2021 kanë tejkaluar edhe shifrat e parapandemisë, duke shënuar një rritje prej 71 miliardë lekësh, çka është një tregues i qartë i rimëkëmbjes së ekonomisë, ashtu si dhe shëndetit të biznesit.

INSTAT publikoi sot raportin mbi tregtinë e jashtme për vitin 2021, sipas të cilit, deficiti tregtar arriti vlerën 432 miliardë lekë, duke u rritur me 29,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.

Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë “materiale ndërtimi dhe metale” me 14,1%, “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 10,8 % dhe “tekstile dhe këpucë” me 3,7%.

Ndërkohë, grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 8,4 %, “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 6 %, dhe “materiale ndërtimi dhe metale” me 5,5 %.

Vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë janë: Italia (26,1 %), Kosova (43,6 %) dhe Spanja (42,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Ukraina (14,7 %) dhe Rusia (49,3 %).