Eksportet e tekstileve dhe këpucëve, 66.2 miliardë lekë në 7 muaj

32

Eksporti i tekstileve dhe këpucëve, që përbën një zë të rëndësishëm të tregtisë së jashtme të Shqipërisë, ka shfaqur shenja rikuperimi gjatë 7-mujorit të parë të këtij viti, që lidhet kryesisht me lehtësimin e kufizimeve në vendet kryesore partnere të Shqipërisë, Italia apo Greqia.

Referuar të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, eksportet e këtij grupi shënuan rritje me 5.4 %.

Në vlerë ato llogariten 66.2 miliardë lekë gjatë 7-mujorit të parë të 2021-it nga 58.1 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të 2020-ës.

Gjatë vitit 2020 eksportet e tekstileve dhe këpucëve shënuan rënie të ndjeshme krahasuar me 2019-ën për shkak të kufizimeve të lëvizjes dhe aktivitetit ekonomik pas vendosjes së masave shtrënguese për parandalimin e përhapjes së pandemisë së COVID-19.

Sipas INSTAT, gjatë 2020-s, eksportet e grupit “tekstile dhe këpucë” llogariten 102.3 miliardë lekë nga 118.2 miliardë lekë që ishin në 2019-ën.

Industria fason ka një peshë specifike në eksportet shqiptare dhe në punësim. Kjo industri  kontribuon me 38 % në totalit të eksporteve dhe angazhon 45 % të forcës punëtore.

Falë avantazheve të tilla si pozicioni gjeografik i vendit, kuadri ligjor me standardet e BE-së, kosto e ulët e transportit dhe infrastrukturës, fuqisë punëtore, e gatshme për të punuar në këtë sektor, por edhe investimeve të larta të kompanive në makineri dhe pajisje, vitet e fundit kemi zgjerim të eksporteve drejt tregjeve të reja dhe disa kompani po shkojnë drejt mbyllje së plotë të ciklit.