Eliminatoret e Kampionatit Europian, grumbullohen kombëtaret e volejbollit

223

Kombëtaret kuqezi të volejbollit për meshkuj dhe femra kanë nisur grumbullimin në prag të eliminatoreve të Kampionatit Europian, që nisin javën e ardhshme.

Ekipet shqiptare kombëtare po stërviten në sallën sportive “Feti Borova” pranë Tirana Olimpik Park, ku dhe do t’i luajnë ndeshjet zyrtare të këtij eventi.

Kombëtarja e meshkujve ka zhvilluar edhe një ndeshje miqësore në prag të këtyre eliminatoreve, ku në Shkup u përball dhe u mund 3-2 nga Maqedonia, në një ndeshje që i shërbeu stafit të ekipit për të testuar mjaft lojtarë të rinj.

Sipas kalendarit të CEV, kombëtaret do të luajnë 4 ndeshje gjatë muajit gusht dhe dy të tjera në janar të 2019-ës.

Kombëtarja e meshkujve ndodhet në Grupin A, së bashku me Portugalinë, Austrinë dhe Kroacinë, ndërsa femrat ndodhen në Grupin A, së bashku me Kroacinë, Austrinë dhe Zvicrën.

Ndeshjet e para, të dyja ekipet kuqezi do t’i luajnë më datën 15 gusht, jashtë fushe dhe më pas, më 19 gusht do të luajnë në Tiranë sfidat e dyta.