Emigrantët shqiptarë që jetojnë në BE sollën në Shqipëri 872 milionë euro

97

Eurostat ka publikuar të dhënat mbi transfertat personale në vendet e Bashkimit Europian dhe vendet kandidate për t’u anëtarësuar. Në 2017-n transferatat që kanë hyrë në Shqipëri nga individët llogariten sipas Eurostat 872 milionë euro. Ndërsa transfertat që kanë dalë nga Shqipëria llogariten rreth 72 milionë euro.

Ndër vendet e kandidate për t’u anëtarësuar vlerën më të madhe të transfertave të hyra e ka Serbia, ku gjatë 2017-s llogariten rreth 2.9 miliardë euro, ndërsa transfertat e dala llogariten sipas Eurostat rreth 201 milionë euro.

Pas Serbisë dhe Shqipërisë, për vlerën më të madhe të parave të hyra renditet Kosova, ku transfertat e hyra llogariten 759 milionë euro, ndërsa të dalat janë 35 milionë euro.

Në Turqi transfertat në  2017-n ishin 657 milionë euro (shiko tabelën). Vlerën më të ulët për sa i përket transfertave nga BE-ja e ka Maqedonia me 194 milionë euro të hyra dhe 18 milionë euro të dala.

Në total vendet jo anëtare të Bashkimit Europian përgjigjen për 13% të transfertave të dala nga BE-ja.

Eurostat ka përllogaritur se rezidentët e BE-së kanë dërguar në vendet jo anëtare të Bashkimit Europian gjatë 2017-s 32.7 miliardë euro, ndërsa transefertat e marra nga vendet jo anëtare të Bashkimit Europian llogariten rreth 10.7 miliardë euro.

Pjesa më e madhe e transfertave persanale përbëhen nga paratë që dërgojnë emigrantët në vendet e tyre të origjinës.

Nga të dhënat e Eurostat, transfertat ishin më të larta në vende si Franca me 10.6 miliardë euro, Spanja me 7.3 miliardë euro, Mbretëria e Bashkuar me 6.8 miliardë euro dhe Italia me 6.1 miliardë euro.

Në kontrast në vende të tjera të Europës transfertat e hyra janë më të larta se paratë që kanë dalë jashtë vendit. Transfertat e hyra më të larta brenda BE-së ishin në Portugali me 3.6 miliardë euro, në Poloni me 3.1 miliardë euro, Rumani me 2.8 miliardë euro dhe Mbretëri e Bashkuar me 2.3 miliardë euro.