Energji nga dielli, ja kur nis punën Parku fotovoltaik i Karavastasë

50

Parku fotovoltaik i Karavastasë, që do të prodhojë energji nga dielli parashikohet të nisë operimet në 30 qershor të vitit 2023. Gjithçka përcaktohet në marrëveshjen përfundimtare të firmosur midis kompanisë Voltalia, që ka fituar ankandin dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Afatet u bënë publike, gjatë mbledhjes së bordit të Entit Rregulaltor të Energjisë,  ku do të miratohej kontrata midis kompanisë franceze dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit, për lidhjen e impiantit me rrjetin e transmetimit të energjisë.

Enti Rregullator i Energjisë miratoi marrëveshjen për lidhjen në sistemin e transmetimit të këtij parku, që ndër të tjera i ngarkon kompanisë Voltalia të përballojë shpenzimet për ndërtimin e linjës së nevojshme të transmetimit.

Kjo është hera e parë që miratohet një marrëveshe e tillë e që sipas vendimit të ERE-s do të jetë e vlefshme edhe për çdo investim tjetër që parashikon ndërtimin e impianteve mbi 100 MW, që janë zgjedhur përmes një procesi konkurrimi e që çmimi i shit-blerjes së energjisë që rezulton nga ky proces të jetë nën 30 euro/MW. Kjo nënkupton që ajo do të jetë e vlefshme edhe për parkun fotovolatik në Spitallë, që gjithashtu do të ndërtohet nga kompania Voltalia e që i plotëson të gjithë kriteret e mësipërm. Parku fotovoltaik i Karavastasë do të ketë një fuqi të instaluar prej 140 MW, ndërsa ai i Spitallës 100 MW. Ndërtimi i këtyre impianteve është tejet i rëndësishëm në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, duke bërë që në periudha thatësirash shpenzimeve për blerjen e energjisë të ulen.