Eposi i Kreshnikëve dhe Lahuta shqiptare drejt UNESCO-s

53

Profesor Zymer Neziri, prezantoi 40 vjet studime mbi Eposin e Kreshnikëve në Akademinë e Shkencave.

Në Tiranë profesor Neziri foli për përvojën e tij të gjatë në terren dhe si studiues mbi një temë të cilës i është përkushtuar plotësisht gjatë karrierës së tij profesionale. Kjo solli mundësinë të njihemi me metodologjinë e punës, me traditat e studimit, si dhe me gjendjen aktuale të studimeve në Kosovë dhe në nivel ndërkombëtar.

Në një hark kohor 40 vjeçar, ai është marrë me mbledhjen, regjistrimin dhe botimin e Eposit të Kreshnikëve. E ka filluar me projektin e parë “Epika legjendare e Rugovës: këngë të kreshnikëve dhe balada”, duke hulumtuar në gjithë katundet e krahinës së Rugovës, me rreth 150 lahutarë. Këngët e incizuara dhe deshifruara sot ruhen në Arkivin e Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Profesor Neziri foli dhe për punën që duhet bërë për ruajtjen e kësaj tradite, sepse ndonëse në trevat tona janë rreth 300 bartës të Eposit të Kreshnikëve, vetëm 2 rapsodë dinë rreth 10 mijë vargje.

“Para 40 vitesh 8 lahutarë dinin mbi 10 mijë vargje, sot janë vetëm dy bartës të Eposit të Kreshnikëve. Pra gjendja nuk po ndryshon për të mirë. Ne kemi edhe 300 bartës të Eposit të Kreshnikëve, që dinë mbi 100 mijë vargje. Të hapen kudo shkollat e lahutës, kemi edhe bartës të brezit të rinj, që në vijimësi do të vazhdojnë herë pas here”, tha prof. dr. Neziri.

Në vijim, puna kërkimore është zgjeruar nga ana gjeografike, duke përfshirë edhe krahina të tjera, si pjesë e projektit për trashëgiminë kulturore shqiptare në Ballkan (Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi, Maqedoni, Serbi. Gjithashtu, pjesë e interesave të tij kanë qenë edhe hulumtimet nëpër arkiva, ndër to ai me fondin e Milman Parryit dhe Albert Lord në Universitetin e Harvardit dhe në bashkëpunim me studiues të tjerë të huaj.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe lahutarë nga Kosova. Ata u bëjnë thirrje, të gjithë intelektualëve shqiptarë, që të bëhen bashkë edhe të punojnë, që Eposi i Kreshnikëve edhe lahuta, të futet në UNESCO sa nuk është vonë.

Zymer Neziri (1946) studiues i folklorit, me fokus të veçantë tek epika. Puna e tij kërkimore përfshin edhe tema nga etnologjia, letërsia e historia. Është në krye të Komisionit qeveritar të Kosovës për përgatitjen e dosjes së Eposit të Kreshnikëve për UNESCO-n.