Ermiri në Libofshë, kultivon në serra rrushin për tavolinë dhe 70% të prodhimit të tij e çon për eksport

12

Prodhimi vendas i rrushit, tashmë edhe në serra, po dominon gjithnjë e më tepër jo vetëm në furnizimin e tregut vendas, por edhe në eksporte.

Aplikimi i metodave të reja të kultivimit në serra me plastmas, ka mundësuar, mbrojtje të prodhimit nga kushtet klimatike; prodhim më të hershëm; daljen më shpejt në treg me çmime të favorshme si dhe fitim më të lartë ekonomik.

Skema Kombëtare, mbështet fermerët për zëvendësimin e plastmasit termik për serrat për prodhimin e perimeve, me 300.000 lekë për ha dhe për rrushin e tavolinës dhe tunelet plastike për prodhimin e luleshtrydhes në vlerën 100.000 lekë për ha.

Mbi 11 mijë ha vreshta të shtrirë në të gjithë territorin, kanë bërë të mundur që prodhimi vjetor i vreshtarisë në Shqipëri, përfshi edhe pjergullat, të arrijë rreth 190 mijë tonë rrush.

Ndërsa vitet e fundit ka filluar edhe kultivimi i rrushit të tavolinës në serra që siguron hershmëri të prodhimit dhe rendiment të larta.

Zonat kryesore të prodhimit të rrushit gjenden mes kodrave dhe bregdetit të Shqipërisë Qendrore. Fieri, Berati, Elbasani dhe Vlora, janë qarqet me përqindjen më të madhe të prodhimit; këto katër qarqe japin më shumë se gjysmën e prodhimit vendas të rrushit.

Rrushi i prodhuar në serra i cilësisë së parë shitet kryesisht në Kosovë, Kroaci, Rumani, Slloveni, Serbi, Mal të Zi.

Ndërkohë importet kanë rënë në mënyrë domethënëse nga viti në vit.

/ata.gov.al