Ermonela Jaho tregon çelësin e suksesit të saj: Kur gjen çelësin e shpirtit tënd, ke gjetur dhe çelësin e njerëzimit

145

Ermonela Jaho, “Mbretëresha” e skenës operistike, është padyshim një histori suksesi. Dhe çelësi i këtij suksesi për sopranon e famshme shqiptare është vetëm puna dhe përkushtimi dhe siç thotë ajo “detyrimi i një artisti të shkojë kaq thellë në shpirt”. Interpretimi magjik në “Royal Opera House” nën petkat e Violetës me La Traviatën, për publikun e 1500 kinemave në botë, në të cilat ajo u ndoq “live” është dëshmi e kësaj.

“Çelësi i kësaj mendoj se është detyrimi i një artisti të shkojë kaq thellë në shpirt. Të jetë aq i sinqertë me veten dhe ai sinqeriteti që sjell në skenë, është e pamundur të mos prekë çdo lloj publiku dhe në momentin që ti ke gjetur çelësin e shpirtit tënd, ke gjetur dhe çelësin e njerëzimit. Gjithmonë mendoj një thënie nga romakët e lashtë që thonin vetëm planet e këqija nuk mund të ndryshohen. Frymëzimi e ka bërë planifikiin edhe më të mirë, por edhe planifikimi i mirë i le hapësirë frymëzimit. Të dyja gërshetohen me njëra tjetrën. Pa të dyja nuk mund të jepet ai rezultat që mendon, sidomos në teatër”, tha Jaho.

Artistja e madhe ka zbuluar edhe një projekt me ikonën e gazetarisë Christiane Amanpour kushtuar artistëve shqiptarë:

“Në të ardhmen, kemi një projekt për të bërë një intervsitë më të gjerë pikërisht për të nënvizuar këtë potencial që ka vendi ynë për të nxjerrë artistë, apo figura që japin një shembull pozitiv jo vetëm për shqiptarët, por edhe për artistët nëpër botë”.