Është çelur thirrja e dytë për aplikime në skemën e granteve për mbrojtjen e pyjeve

265

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në bashkëpunim me Projektin e Shërbimeve Mjedisore hap thirrjen e dytë për aplikime për “Skemën e Granteve Konkurruese për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Pyjeve”, mbështetur financiarisht nga Banka Botërore dhe Qeveria Suedeze, për Shoqatet e Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave, dhe individe fermerë.

Në kuadër të fushatës së informimit, një ekip i përbashkët i AZHBR dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit/Projekti i Shërbimeve Mjedisore, kanë organizuar disa takime me Shoqatat e Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave dhe individë fermerë, në lidhje me kriteret e përfitimit, procedurat e detajuara për zbatimin e kësaj mase me sukses.

Në dallim nga thirrja e parë, do të ketë një alokim të buxhetit në dispozicion për këtë thirrje ku 70% e fondit do të shkojë në favor të aktiviteteve të pyllëzimit për të qenë në koherencë me vizionin e qeverisë për të shtuar sipërfaqe të gjelbra dhe 30% e fondit për aktivitete si, masat parandaluese ndaj fenomeneve të erozionit, lera uji për bagëtinë, etj. Aplikantët që propozojnë aktivitete pyllëzimi do të kenë më shumë mundësi të shpallen fitues sepse shihet si një aktivitet favorizues dhe i rendit këta aplikantë në pozita shumë të favorshme.

Thirrja e dytë për grante është shpallur më 20 Korrik do të qëndrojë e hapur deri në 10 Shtator 2018.