Eurostat ka publikuar fakte dhe shifra për disa shtete të Ballkanit që janë në negociata për bisedime pranimi dhe anëtarësimi në Bashkimin Europian, (Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnjë Hercegovina) si dhe për Kosovën.
Shqipëria dhe Kosova rezultojnë dy shtetet që kanë një jetëgjatësi më të lartë, si për burrat dhe për gratë dhe kanë ende një popullsi të re.
Të dy shtetet që flasin shqip kanë dhe dendësinë më të lartë të popullsisë në Ballkan.
Shqiptarët, si të Shqipërisë, ashtu dhe Kosovës, janë më jetëgjatët në rajon. Pritshmëria për të jetuar për gratë është 81.6 vjeç në Kosovë, më e larta nga të gjitha vendet e tjera dhe 80.5 vjeç në Shqipëri. Maqedonia e Veriut e ka 78.8 vjeç, Mali i Zi (79.3), Serbia (78.4), Bosnja (78.8).
Burrat në Shqipëri kanë një pritshmëri për të jetuar më gjatë nga gjithë Ballkani, prej 77.4 vjeç, kundrejt 75.9 vjeç në Kosovë, 74.6 vjeç të Maqedonisë, Mali i Zi (74.5), Serbia (73.5), Bosnja (73.7).
Shqipëria ka ende një popullsi të re, me 17.2% të totalit që janë në moshën nën 15 vjeç, kundrejt 16.4% në Maqedoninë e Veriut, 18% në Mal të Zi, 14.3% në Serbi, dhe 16.4% në Bosnjë. Por, popullsia më e re është në Kosovë, me 24.4% të popullsisë totale.