Evropa, SHBA-ja, vendet e Ballkanit ofrojnë ndihmë për Turqinë e goditur nga tërmeti

2

Vende në Evropë dhe Ballkan u zotuan të hënën të ndihmojnë Turqinë e cila u godit nga tërmetet vdekjeprurëse me magnitudë 7.9 dhe 7.7 të hënën në provincën jugore të Kahramanmaras dhe provinca të tjera. Siria veriore u godit gjithashtu.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi se NATO-ja, vendet e BE-së dhe 45 vende të tjera i janë përgjigjur thirrjes së Turqisë për ndihmë. “Ne i kemi dhënë përparësi misioneve të kërkim-shpëtimit. Në Turqi kanë filluar të mbërrijë ndihmë ndërkombëtare”, tha ai.

Raportohet se deri më tani ka pasur 1,500 të vrarë.

Në një deklaratë të përbashkët, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell dhe Komisioneri i BE-së për Menaxhimin e Krizave Janez Lenarcic thanë se ishin mobilizuar ekipe nga Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Franca, Greqia, Hungaria, Malta, Holanda, Polonia dhe Rumania për të mbështetur ekipet e ndihmës së shpejtë në terren.

Përveç BE-së, ndihmë ofroi edhe Britania. “Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të ndihmojë në çfarëdo mënyre që mundemi”, tha kryeministri britanik Rishi Sunak.

NATO-ja gjithashtu ofroi ndihmë. “Solidaritet të plotë me aleatin tonë Turqinë pas këtij tërmeti të tmerrshëm. Jam në kontakt me presidentin Erdogan dhe ministrin e jashtëm Mevlut Çavusoglu. Aleatët e NATO-s po mobilizojnë mbështetjen tani”, shkroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në Tëitter.

Ndihma nga vendet evropiane dhe të NATO-s përfshijnë misione kërkim-shpëtimi, punonjës shëndetësie, brigada zjarrfikësish, helikopterë, dronë dhe personel tjetër të menaxhimit të krizave përveç ndihmës humanitare.

Turqia njoftoi se ndihma dhe ekipet ndërkombëtare do të mblidhen në aeroportin e Malatya në Turqinë lindore pasi shumë aeroporte, rrugë, ura dhe autostrada të tjera në vend janë dëmtuar.

Kushtet e rënda të motit dhe stuhitë e borës në të gjithë vendin e bënë më të vështirë ofrimin e ndihmës lokale dhe ndërkombëtare për provincat e goditura nga tërmeti në Turqinë jugore dhe juglindore.

Fqinjët ballkanas të Turqisë gjithashtu ofruan ndihmë të shpejtë.

Agjencia serbe e lajmeve Tanjug raportoi se Serbia po dërgon ekipe kërkimi për të shpëtuar të mbijetuarit nga rrënojat, të përbërë nga 21 anëtarë dhe tre oficerë ndërlidhës nga Departamenti i Situatave Emergjente të Ministrisë së Brendshme.

“Kroacia do të dërgojë një ekip shpëtimi prej 40 personash nga Ministria e Brendshme në shenjë solidariteti”, shkroi në Tëitter kryeministri kroat Andrej Plenkoviç.

Ekipi kroat i kërkim-shpëtimit do të niset të hënën për në Turqi. Ekipi përbëhet nga 40 ekspertë në kërkimin dhe shpëtimin nga rrënojat dhe 10 qen kërkimi. Kryqi i Kuq Kroat ka nisur procesin e hapjes së një linje telefonike për donacione për të mbledhur ndihma për viktimat.

Ministri i Sigurisë së Bosnjës, Nenad Nesiç, konfirmoi se një ekip i përbërë nga 50 vetë do të dërgohet nga Bosnja në Turqi dhe procedurat për nisjen e tyre aktualisht janë duke u finalizuar. Ekipi do të përbëhet nga anëtarë të Shërbimeve të Mbrojtjes Civile të dy entiteteve, Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republika Srpskës, dhe rqarkut të Brckos.

Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut njoftuan gjithashtu se ekipe kërkim-shpëtimi do të nisen për në Turqi sot pa dhënë detaje.

Autoritetet lokale kanë ofruar gjithashtu ndihmë për të lehtësuar tragjedinë në Turqi. Kryetari i bashkisë së qytetit malazez të Kotorrit, Vladimir Jokiç, ofroi të dërgojë ndihmën e Njësisë lokale të Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit në qytetin turk të Gaziantepit dhe të presë një grup fëmijësh që humbën shtëpitë e tyre në tërmet.

Vende të tjera duke përfshirë SHBA-në, Izraelin, Indinë, Tajvanin dhe Pakistanin po dërgojnë gjithashtu misione kërkimi-shpëtimi, helikopterë dhe automjete të tjera në Turqi.

Ndihmë bujare erdhi nga aleati i ngushtë i Turqisë, Azerbajxhani, i cili dërgoi 370 anëtarë nga ekipet elitare ushtarake të kërkim-shpëtimit herët të hënën.

Turqia njoftoi se tërmetet shkaktuan një situatë alarmi të nivelit 4 dhe kërkoi të gjithë ndihmën e mundshme. Sipas Presidencës së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave, AFAD, të paktën 1,498 njerëz kanë humbur jetën, më shumë se 8,500 njerëz janë plagosur dhe të paktën 2,834 ndërtesa janë shkatërruar.

Zyrtarët dhe ekspertët thonë se numri i viktimave do të rritet në ditët në vijim.

Përveç dy tërmeteve të mëdha, dhjetëra tërmete pasgoditëse kanë vazhduar të tronditin rajonin, disa prej tyre të një magnitude mbi 6.

Zyrtarët paralajmërojnë njerëzit që të mos konsumojnë ujë nga ujësjellësit e dëmtuar të qytetit. Shumë qytete dhe qyteza nuk kanë energji elektrike, internet, linja telefonike dhe ngrohje në kushte të acarta të dimrit.

/reporter.al