FA pastrojnë plazhin e Divjakës dhe ndërtojnë një urë në Lushnje

230

Për javë të tëra Forcat e Armatosura u angazhuan për pastrimin e plazhit të Divjakës, dhe të më shumë se 60 km vijë bregdetare në të gjithë vendin, duke i dhënë një tjetër pamje vijës bregdetare e duke e bërë më tërheqës për pushuesit.

Efektivët e batalionit të tretë të këmbësorisë së Poshnjes dhe mjetet e rënda të Komandës Mbështetëse, larguan dhjetëra ton mbetje dhe pastruan qindra metra² nga hapësira e plazhit. Përveç pastrimit të plazhit, Forcat e Armatosura ndërtuan dhe një urë “bailey” në Njësinë Administrative Allkaj. Kjo urë i shërben jo vetëm 1100 banorët e njësisë administrative, por të ndihmojmë veçanërisht 200 familjet që kanë investuar jetën në këtë zonë, pasi jetojnë me të ardhurat nga produktet e mbjella në vreshtat, serat apo fushat këtu.

Ura e re pranë fshatit Zhelizhan ka një peshëmbajtje prej rreth 30 ton dhe zëvendëson një urë të ndërtuar me mjete rrethanore, mbi të cilën ishte e pamundur lëvizja e mjeteve. Ndërhyrja e Forcave të Armatosura për pastrimin e plazhit të Divjakës nisi në kuadër të nismës së Ministrisë Turizmit dhe Mjedisit “Java e Tokës”, por vijoi edhe në kuadër të masave të ndërmarra në të gjithë vendin nga Ministria e Mbrojtjes, për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror 2018.