Facebook Watch, risia që sfidon edhe televizionet

147

Shërbimi i transmetimit të videove “Watch” i rrjetit social Facebook është shtrirë tashmë në mbarë botën, më shumë se një vit pas lançimit të tij në Shtetet e Bashkuara.

Përdoruesit do të mund të zgjedhin nga një gamë e gjerë shfaqjesh, qoftë nga markat më të njohura, ashtu edhe nga debutues, e kanë gjithashtu mundësinë të shohin klipe të cilat i kanë ruajtur nga ndërfaqja e lajmeve “News Feeds”.

Firma planifikon gjithashtu t’u lejojë të gjithë krijuesve të shfaqin edhe publicitete, për sa kohë që përmbushin disa kushte të caktuara. Deri më tani, vetëm disa publikuesve u është dhënë kjo mundësi.

Në fillim, vetëm videot e shfaqura për audiencat në Britani, Amerikë, Irlandë, Australi dhe Zelandë të Re do të ketë këtë lloj lehtësie. Të ardhurat do të ndahen 55 për qind për krijuesit dhe 45 për qind për Facebookun.

“Watch” është konsideruar shpesh si rivali i “Youtube” nga Google, por ai do të konkurrojë tashmë edhe me kanalet tradicionale televizive, sikurse edhe me platformat “online” si Netflix, Amazon Video, BBC iPlayer dhe Instagram TV (gjithashtu në pronësi të Facebookut).