Falen 660 milionë euro borxhe, qeveria përgatit projektin

274

Qeveria pritet t’i propozojë Parlamentit faljen më të madhe të borxheve për biznesin dhe individët në historinë e financave të shtetit.

Top Channel zbardh shifrat e draftit tashmë të përfunduar, përmes të cilit mund të fshihen deri në 91 miliardë lekë, ose 660 milionë euro borxhe që biznesi dhe qytetarët kanë në tatime e dogana.

Sipas tabelave zyrtare, rreth 29.5 miliardë lekë janë detyrime dhe gjoba që i përkasin periudhës para 31 janarit 2010. Këto borxhe fshihen të gjitha automatikisht.

Për periudhën nga 1 janari 2011 deri në 31 dhjetor 2014 do të falen gjobat dhe kamatëvonesat, nëse biznesi apo individi që ka borxhe në shtet paguan detyrimin fillestar tatimor.

Sipas tabelave, nëse kjo lehtësi do të shfrytëzohet plotësisht nga biznesi dhe qytetarët, shuma e gjobave dhe kamatëvonesave që mund të falen për këtë periudhë arrin 61.5 miliardë lekë duke e çuar shumën totale të faljes bashkë me borxhet para 2010-s në 91 miliardë lekë, ose 6 për qind e prodhimit kombëtar.

Në total borxhi tatimor që bizneset dhe individët kanë ndaj shtetit është 180 miliardë lekë. Kjo do të thotë se falja që parashikon drafti i ri mund të fshijë gjysmën e borxhit total në dogana dhe tatime.

Qeveria thotë se kjo falje synon të vendosë një marrëdhënie të re me biznesin dhe ndryshe nga e kaluara, këtë herë falja ka dhe mbështetjen e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka qenë gjithmonë skeptik për nisma të tilla.