Faqja e njohur turistike: Shqipëria një nga vendet më të bukura në Evropë, duhet vizituar patjetër

60

Shqipëria ka plazhe të virgjëra, peizazhe malore, kuzhinë tradicionale, objekte  arkeologjike, tradita unike, çmime të ulëta dhe një atmosferë të pashkelur rurale, shkruan faqja e njohur turistike indiane holidaysarthi.com.

Në një tur europian, Shqipëria është një nga vendet më të bukura për t’u vizituar:

10.Korça

I vendosur në juglindje të Shqipërisë, ky qytet është plot jetë gjatë verës, koha kur mund të gjeni çifte dhe familje që shëtisin nëpër parkun kryesor të qytetit, Parku Rinia.

Ju mund të argëtoheni duke ngjitur malin e bukur Morava dhe të shikoni qytetin dhe peizazhin përreth tij.

Mos humbisni Birrarinë e Korçës, e famshme në të gjithë Shqipërinë, e cila ka një kopsht të bukur birre. Ajo sponzoron, gjithashtu, një festival njëjavor birre, çdo gusht.

Mund të shikoni edhe shtëpitë e vjetra dhe Pazarin, që datojnë nga fundi i shekullit XV.

Muzeu i Artit Mesjetar është një domosdoshmëri kulturore për t’u vizituar.

9.Vlora

Vija bregdetare e Vlorës zë rreth 30% të të gjithë bregdetit të Shqipërisë dhe në afërsi të saj ndodhet Riviera Shqiptare.

Rajoni i bukur bregdetar është një nga vendet më të mira për t’u vizituar në Shqipëri.

8.Kruja

Qyteti antik i heroit kombëtar, Skënderbeut, Kruja rrethohet nga male të bukura.

Pranë Kalasë së Skënderbeut gjeni muze, restorante, madje edhe një hotel.

Kruja, gjithashtu, ka një pazar të stilit të vjetër, me dyqane që shesin mallra tradicionale dhe të cilësisë së mirë, në mes të rrugëve me kalldrëm.

Ky qytet është i njohur për prodhimin e qilimave në mënyrë artizanale.

7.Gjirokastra

Një qytet i shpallur Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, në jug të Shqipërisë, Gjirokastra njihet për arkitekturën e saj unike të periudhës osmane.

Në kodër, në mes të qytetit, ndodhet një kështjellë e madhe. Sot, brenda saj, ndodhet një Muze Ushtarak dhe Galeria e Arteve.

6.Alpet Shqiptare

Ky grup malor në veri të vendit, i njohur edhe si Bjeshkët e Nëmura, formon kufirin midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. I pasur me pamje piktoreske është një nga vendet që duhet të shihni në Shqipëri.

Gjithashtu, ju duhet të vizitoni me patjetër Parkun Kombëtar dhe fshatin e Thethit.

5.Berati

Duke qenë një prej qyteteve më të vjetra në Shqipëri, ai bën pjesë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Berati njihet prej kohësh si “qyteti i një mbi një dritareve”.

Ai ka një kala të ruajtur mirë, ku ka ende banorë që jetojnë brenda mureve të saj mbrojtëse.

Brenda mureve të Kalasë gjeni kisha bizantine, Xhaminë e Kuqe dhe Muzeu Kombëtar “Onufri”.

Në lindje gjendet Muzeu Etnografik, në një shtëpi të shekullit të XVIII.

4.Shkodra

Është qyteti më i madh në Shqipërinë Veriore.

Shkodra konsiderohet kryeqyteti i kulturës shqiptare.

Atje ndodhet teatri “Migjeni”, i pari teatër në Shqipëri.

Kalaja e Rozafës është një tërheqje kryesore turistike këtu, por gjithashtu mund të vizitoni edhe Katedralen e Madhe, Xhaminë e Ebu Bekerit, etj.

3.Saranda

Një qytet në jug të Shqipërisë, i njohur për plazhet e saj të paharrueshme dhe lulet shumëngjyrëshe të pranverës.

Plazhi i Ksamilit është një ndër plazhet më të njohura atje.

Në qendër të qytetit ndodhen mbetjet arkeologjike të një sinagoge të shekullit V.

Në një kodër, mbi qytet, mund të vizitoni Kalanë e Lëkurësit, e shekullit XVI.

2.Durrësi

Është porti kryesor i hyrjes në Shqipëri dhe një nga qytetet më të lashta.

Amfiteatri antik i qytetit është më i madhi në Ballkan.

Plazhi i Gjirit të Lalzit në fshatin Hamallaj në veri të Durrësit është një tërheqje e njohur fundjave. Plazhet e tjera aty pranë, përfshijnë Currilat, Bishtin e Pallës dhe Plazhin e Kallmit.

Ky  qytet është një nga destinacionet më të famshme turistike në Shqipëri.

1.Tirana

Mali i Dajtit është një vend i njohur turistik, me një pamje të mrekullueshme nga qyteti.

Turistët, zakonisht, e konsiderojnë Tiranën si një qytet të bukur dhe të këndshëm, ku ndjesia e qytetit kozmopolit dhe të vogël ndërthuren me një jetë të gjallë të natës.