“Feja në shoqëri – modeli shqiptar”, një ekspozitë për bashkëjetesen tonë fetare

49

Ekspozita “Feja në shoqëri – modeli shqiptar” u çel dje për publikun në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Kjo ekspozitë sjell për publikun promovimin dhe kultivimin e vlerave të shquara dhe të dallueshme të shoqërisë shqiptare dhe bashkëjetesën në diversitetin fetar në paqe, harmoni dhe integritet.

Kjo ekspozitë përbëhet nga 11 stenda me fotografi dhe dokumente të Arkivit Qendror Shtetëror ku pasqyrohet bashkëjetesa fetare në Shqipëri.

Në ceremoninë e hapjes të kësaj ekspozite ishin të pranishëm drejtuesit e komuniteteve fetare të Shqipërisë si dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi.

“Të gjithë të krishterët, të çdo lloji tradite, bazohen tek i njëjti Ungjill, tek dashuria e Perëndisë. Ungjilli është një lajm, një lajm i mirë, dhe është pikërisht thelbi i komunitetit tonë ungjillor. Ne jemi një produkt i konvertimit të lirë, falë kësaj vëllazërie ndërfetare”, u shpreh Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore, Pastor Ylli Doçi, pasi bëri një përmbledhje të historikut të Ungjillorëve në vendin tonë.

Ndërsa Imzot Frendo u shpreh se ”Bashkëjetesa jonë fetare ka rrënjë tepër të thella. At Gjergj Fishta shkruante se si të krishterë ashtu dhe muslimanë Shqipnin të gjithë e kanë”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në mjediset e Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë deri më datë 8 maj.