Fermerët mund të aplikojnë për fonde në bujqësi përmes e-Albania

40

Këtë vit, për herë të parë, fermerët kanë mundësi të aplikojnë nga shtëpia, përmes portalit e-Albania, për të përfituar fonde nga skemat kombëtare mbështetëse për bujqësinë.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR) ka shpërndarë në Drejtoritë e Bujqësisë në rrethe, por edhe në Agropika, materiale informuese ku shpjegohen hapat për kryerjen e procesit të plotësimit online të formularit të aplikimit.

Aplikim për Skemat Kombëtare

Shërbimi elektronik “Aplikim për Skemat Kombëtare” u mundëson fermerëve të aplikojnë online për fondet e Skemës Mbështetëse Kombëtare, si një mënyrë për të përfituar mbështetje financiare.

Procesi online i aplikimit të fermerëve nga portali e-Albania për përfitim nga skemat mbështetëse me 0 dokumente, do të realizohet mbi bazën e vetëdeklarimit nga ana e aplikantit për të dhënat e kërkuara nga “Formulari i aplikimit”, si dhe të dhëna që identifikojnë fermerin (në bazë NIPT) që plotësohen automatikisht me ndërveprim nga regjistrat elektronikë në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit.

Aplikimi për skemat mbështetëse do te bëhet on-line për masat si më poshtë:

1-Për tufën bazë të matrikulluar, për fermat me jo më pak se 100 krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1000 (njëmijë) lekë/krerë.

2-Dorëzim qumështi lëndë e parë, në vlerën 10 lekë për litër në pikat e përpunimit, për fermat që mbarështojnë lopë dhe/ose të imëta, kundrejt faturës tatimore të shitjes, por jo më shumë se 700 000 (shtatëqind mijë) lekë për subjekt.

3-Mbarështim i bletarisë me 1000 (njëmijë) lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje, por masa e financimit të jetë jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë për subjekt.

4-Mbështetje ndaj anijeve të peshkimit me flamur shqiptar, në vlerën 20 (njëzet) lekë/kg për açuge dhe/ose sardele të peshkuara. Pagesa të kryhet kundrejt sasive të tregtuara në stabilimentet shqiptare vetëm për qëllime përpunimi të këtyre produkteve, të vërtetuara me fatura tatimore dhe certifikatë zënieje. Në rastin kur anijet janë në pronësi ose të marra me qira nga stabilimentet e përpunimit të peshkut, pagesa të kryhet kundrejt sasive të verifikuara me certifikatë zënieje dhe/ose:

– faturave të shitjes së produkteve të përpunuara për në tregun vendas;

– të deklaratës doganore për eksportin e prodhimeve të përpunuara.

5-Mbjellje e ullinjve në vlerën 350 000 (treqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha, për format intensive të kultivimit, dhe në vlerën 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha, për format tradicionale. Kur kultivari është autokton masa e financimit shtohet me 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë/ha.

Sipërfaqja e mbjellë me ullinj për fermerët individual të jetë jo më pak se 0,2 ha, për grup fermerësh jo më pak se 1 ha, në një bllok të vetëm, për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB) jo më pak se 3 ha. Madhësia e ngastrës të jetë, jo më pak se 0,2 ha, kur nuk është në bllok.

Kosto e aplikimit për aplikim është pa pagesë, njofton AZHBR.