Fermerët që mbjellin grurë marrin 30 mijë lekë/ha, si të aplikoni dhe afatet

41

Kriza e grurit që doli në pah si pasojë e konfliktit Rusi-Ukainë dhe që solli rritje të çmimit të miellit në vend, ka bërë që qeveria të marrë masa për të rritur sipërfaqet e mbjella në vend në mënyrë që të jemi më të mbrojtur ndaj situatave emergjente.

Kështu,  nga 1 shtatori deri më datën 23 shtator fermerët do të kenë mundësinë që të aplikojnë përmes e-albania për të marrë mbështetje financiare për kultivimin e grurit në sezonin e ri të mbjelljeve. Mbështetja që jepet nga Agjencia për Zhvillimin Bujqeësor dhe Rural do të jenë  në vlerën 30 mijë lekë për hektarë,  për sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 hektarë.

Përfitues nga kjo masë mund të jenë fermerë individualë, SHBB, Person Fizika ose Juridikë. Për të përfituar, aplikanti duhet të jetë i pajisur me NIPT fermeri aktiv; Toka të jetë në pronësi ose në përdorim (qira, huapërdorje etj.); të ketë faturë të fiskalizuar për blerjen e farës dhe plehrave kimike.

Dokumentacioni që dorëzohet nga aplikanti pas përfshirjes në listën e subjekteve të kualifikuara ështrë  dokumentacioni i pronësisë së tokës apo përdorimit. Pagesat do të kryhen brenda vitit 2022 për sipërfaqet e mbjella dhe kontrolluara në parcelë. Sezoni i mbjelljes së grurit fillon në muajin Tetor.

Sipas të dhënave zyrtare të instat fermerët shqiptarë prodhojnë mesatarisht 233 mijë ton grurë në vit por kjo sasi është e pamjaftueshme për të mbuluar kërkesën konsumatore, pasi në të njëjtën kohë importet u regjistruan në  221 mijë ton grurë vitin që lam pas, në një vlerë prej rreth 7 miliardë  lekësh.