Fermeri nga Fieri që ka 900 lopë dhe prodhon 10.000 litra qumësht në ditë

69

Blegtoria është një degë e rëndësishme e ekonomisë që po mbështetet nga qeveria përmes programit IPARD me financim të qeverisë shqiptare dhe BE-së.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural solli shembullin e biznesit “Tris Alb” sh.p.k, në Libofshë të Fierit, që zhvillon një aktivitet të suksesshëm në fushën e mbarështimit të gjedhëve dhe prodhimit të qumështit, falë edhe mbështetjes nga programit IPARD II, në dy thirrje.

Ky biznes është përfitues i mbështetjes me grant për investime në teknologji e pajisje sipas standardeve më të mira.

Investim në ambientet për mjeljen e lopëve, pajisje mjelëse të automatizuar dhe ndërtimin e një hangari për ruajtjen e ushqimit për kafshët, bashkë me pajisjet e nevojshme të stallës, janë disa nga hallkat e biznesit që “Tris Alb” sh.p.k i ka zhvilluar edhe me  mbështetjen e programit IPARD.

Përmes mbështetjes në përmirësimin e teknologjisë së mjeljes dhe ruajtjes, “Tris Alb” arrin të prodhojë më shumë se 10.000 litra qumësht në ditë, me një total prej afërsisht 900 krerë lopë.

Blegtoria është një prej sektorëve më të mbështetur nga programi IPARD përmes investimeve në makineri dhe traktorë, agregate, pajisje mjelje, stalla, frigoriferë, cisterna, ambiente për mbarështim, pajisje për thertore, përpunimin e mishit etj.

Vetëm përmes programit IPARD II janë nënshkruar 40 kontrata, me një grant në dispozicion prej 8 milionë euro, fonde të Bashkimit Europian, në bashkëfinancim me qeverinë shqiptare.