Festa e 28 nëntorit/ Nga ngritja e flamurit nga Skënderbeu, tek shpallja e pavarësisë në 1912

251

Sot Shqipëria shënon 108 vjetorin e shpallje së pavarësisë. Shpallja e Pavarësisë ose Deklarata e Pavarësisë është shpallja e pavarësisë së Vilajeteve shqiptare nga Perandoria Osmane.

Shqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë.

Njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e ambasadorëve në Londër.

28 Nëntori është ditë e veçantë për shqiptarët. Në këtë datë në dy vite të ndryshme kanë ndodhur dy ngjarje historike që kanë shenjuar historinë e Shqipërisë.

Në vitin 1443, më 28 nëntor heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e saj. Ndërsa më 28 nëntor 1912, i quajtur gjithashtu si Nëntori i dytë, u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemaili i cili ngriti flamurin në Vlorë.