“Festa e grurit”, një paradë e veshjeve, këngëve e valleve tradicionale, e bukurisë e mikpritjes myzeqare

119

Pojani në Fier, i përfshirë në programin “100 fshatrat”, u kthye mbrëmjen e djeshme në qendër të festimeve dhe traditës myzeqare.

Festa e grurit mblodhi bashkë me qindra banorë, duke e kthyer Pojanin në epiqendër të festimeve dhe një vend atraktiv për vizitorët.

Me qindra njerëz u bënë pjesë të kësaj feste bashkë me dhjetëra fermerë, kultivues gruri dhe prodhues buke.

Festa e grurit, me një histori gati 50-vjeçare në Myzeqe i solli të gjitha si dikur bukën dhe grurin e ri, lëmin e fshatit dhe mekanikën, këngët dhe vallet, bibën në saç dhe dhallën e ftohtë.

Festa e grurit është një nga festat më të mëdha që organizon Bashkia e Fierit në kuadër të promovimit të traditës myzeqare. E zhvilluar në muajin qershor të çdo viti dhe e shoqëruar me ritualet festive të krijuara gjatë shekujve, kjo festë vendore përbën tashmë një tjetër vlerë të shtuar të turizmit kulturor.