Bashkia e Shkodrës organizoi shpërndarjen e paisjeve shkollore dhe mjeteve për fillimin e vitit të ri shkollor 2017 për fëmijët dhe familjet në vështirësi ekonomike e sociale.
Këtë vit për të parën herë janë identifikuar të gjithë fëmijët e komunitetit rom të cilët janë regjistruar të gjithë në shkollat dhe kopshtet publike. Këto aktivitete po zhvillohen në bashkërendim me UNDP dhe ARSIS me synim fuqizimin e këtij komuniteti dhe integrimin e tyre në jetën sociale, edukative e ekonomike.
Bashkia ka marrë masat e nevojshme për ndjekjen e procesit të edukimit dhe integrimit të këtyre fëmijëve në shkolla, duke siguruar mbështetjen me pajisje shkollore, çanta, libra, fletore e materiale didaktike. Gjithashtu janë vënë në dispozicion mësues mbështetës për fëmijët e komunitetit me synim mbështetjen e fëmijëve në rezultatet mësimore.
Deri tani numri i fëmijëve të regjistruar për në shkollë është 72 dhe numri total i fëmijëve të identifkuar për kopësht është 33. Pranë Qendrës komunitare “Për Familjen” nr 4, u zhvillua shpërndarja e rradhës për fëmijët që frekuentojnë shkollën dhe do të vazhdohet dhe në ditët në vijim për fëmijët e tjerë.