Filmi ‘Ajo’ me skenar dhe regji nga More Raça dhe producent Sunaj Raça, ka fituar të drejtën të konkurojë për çmimin OSCAR, pasi është në mesin e nëntë finalistëve, në festivalin Manhattan Short Fiilm Festival, që do të mbahet nga 27 Shtator deri më 7 tetor 2018.
Qendra Kinematografike e Kosovës bën të ditur se filmi do të shfaqet në 350 qytete të botës, në gjashtë kontinente. Ky film flet për dhunën në familje, guximin e një vajze të vogël për të shpëtuar veten dhe nënën e saj.
‘Ajo’ është prodhim i shtëpisë filmike, Arena, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Në këtë film interpretojnë: Aurita Agushi, Sunaj Raça, Diella Valla, Florist Bajgora, etj.
Në edicionet e mëparshme të Manhattan Short Film Festival finalist ishin dy filma, të cilët u nominuan për çmimim Oscar, filmi Shok dhe Bear Story.