Gjiganti botëror mediatik “Financial Times” e cilësoi Shqipërinë si “Italia e vogël” në një artikull të publikuar sot.
Turizmi i këtij sezoni në syrin e gjigantit botëror mediatik “Financial Times” që Shqipërisë i vendos epitetin e “Italisë së vogël” pas bumit të kësaj vere me pushues italianë, por edhe nga gjithë bota, si konfirmim i faktit se tanimë jemi bërë pjesë e hartës turistike të Mesdheut, përkrah shteteve të sprovuara prej shumë dekadash në këtë industri.
Sipas “Financial Times”, Shqipëria po gëzon një ringjallje ekonomike, pjesërisht edhe për shkak të bumit turistik.
Më tej, në artikulli theksohet se pasagjerët e linjave ajrore drejt Shqipërisë u dyfishuan në qershor, kjo edhe për shkak të vendosjes së linjave ajrore me kosto të ulët.
”Të tërhequr nga plazhet e tij mesdhetare me çmime konkurruese, pasagjerët e linjave ajrore në Shqipëri u dyfishuan në qershor krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas ACI Europe, një shoqatë e operatorëve të aeroporteve. Hapja e linjave me kosto të ulët për në aeroportet shqiptare kontribuoi në këtë kërcim, tha ACI”, thuhet në artikull.
“Financial Times” thotë se ndërsa çmimet janë rritur në Itali, turistët ndërkombëtarë janë joshur nga kostot më të ulëta shqiptare për çdo gjë, nga akomodimi në hotel deri te restorantet dhe shezlongët. “Agjencia Federale e Statistikave të Gjermanisë zbuloi së fundmi çmimet e restoranteve dhe hoteleve në Shqipëri ishin 56 për qind më të ulëta se ato të Gjermanisë, duke e bërë atë destinacionin më të lirë të pushimeve në Evropë”, citohet artikulli.
Artikulli i “Financial Times” vijon duke e përshkruar Shqipërinë si destinacionin e momentit, me plazhet e saj me rërë, të ngjashme me Karaibet.
/ata.gov.al