Financim deri në 1.5 mln lekë/ Miratohet Fondi i Ekselencës për studentët dhe nëpunësit

44

Këshilli i Ministrave miratoi financimin nga buxheti i shtetit, brenda fondeve buxhetore të miratuara për vitin përkatës për Fondin e Ekselencës dhe nga donacione ose të ardhura të tjera, nga burime të ligjshme, për mbështetjen financiare të studentëve shqiptarë të shkëlqyer, i cili përdoret nga ministria përgjegjëse për arsimin për bursa.

Në mbështetje të ligjit “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, qeveria vendosi që të përfitojnë bursa studentët, të cilët ndjekin studimet e ciklit të dytë apo të tretë jashtë vendit, në universitetet më të mira të botës, nëpunësit civilë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

Nga fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, përfitojnë mbështetje financiare kandidatët që plotësojnë kriteret, studentët, që ndjekin jashtë vendit programe studimi të ciklit të dytë kur janë shtetas shqiptarë dhe kur kanë përfunduar studimet e ciklit të parë me notë mesatare mbi 9, për shkencat natyrore dhe teknike, dhe mbi 9.5 për shkencat ekonomike e shoqërore.

Përfitojnë bursë studentët që janë pranuar në njërin nga 15 universitetet më të mira të botës, sipas renditjes së përgjithshme për vitin përkatës të aplikimit dhe/ose asaj specifike, sipas fushave, nga “Times Higher Education” – Renditja botërore e universiteteve, për të ndjekur një program studimi të ciklit të dytë, studentët që pranojnë të punojnë në institucionet e administratës buxhetore shtetërore dhe institucionet e pavarura publike në Shqipëri, për së paku 2 (dy) vjet, pas përfundimit të studimeve dhe diplomimit në ciklin përkatës të studimeve, për të cilin përfitojnë bursën,, studentët që nuk janë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar.

Po ashtu përfitojnë studentët, të cilët ndjekin studimet e plota të doktoratës, pasi kanë përfunduar ciklin e parë e të dytë të studimeve universitare.

Studentët doktorantë mbështeten financiarisht nga ky fond për shpenzimet e jetesës dhe sigurimet shëndetësore, në masë jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë në muaj. Këta studentë nuk mbështeten për tarifën e studimit. Në rastet kur studenti përfiton një financim tjetër nga universiteti pritës ose nga donatorë të tjerë, financimi nga Fondi i Ekselencës do të bëhet për diferencën e vlerës, deri në vlerën maksimale të parashikuar nga ky fond.

Përfitojnë nga Fondi i Ekselencës nëpunësit civilë, të cilët ndjekin jashtë vendit një program 1-vjeçar, “Master” të ciklit të dytë apo të tretë, kur: janë shtetas shqiptarë, janë pranuar në njërin nga 300 universitetet më të mira të botës, sipas renditjes së fundit të përgjithshme ose në njërin nga 100 universitetet më të mira të botës, sipas fushave, nga “Times Higher Education” – Renditja botërore e universiteteve, në vitin më të fundit, për të ndjekur në ciklin e dytë apo të tretë të studimit një program “Master” me kohëzgjatje 1-vjeçare në fushat: politika publike, administrim publik, politika ekonomike, politika arsimore, politika shëndetësore, urbanistikë dhe zhvillim urban, menaxhim i financave publike, e drejtë administrative/publike dhe studime europiane dhe pranojnë që pas përfundimit të studimeve të kthehen dhe të punojnë për së paku 2 (dy) vjet, pas përfundimit të studimeve, në institucionin e mëparshëm.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.