Financimi nga bankat dhe grantet e IPARD, zgjeruan investimet në agropërpunim

3

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, një tjetër sektor që regjistron rritje të ndjeshme të kreditimit gjatë qershorit të këtij viti, është ai i industrisë agropërpunuese.

Shifra e rreth 3.1 miliardë lekëve financim gjatë muajit të gjashtë të vitit, për industrinë përpunuese, tregon një rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë, kur kjo shifër ishte pranë 2.1 miliardë lekëve.

Ndërkohë që me rreth 3.7 miliardë lekë financim, rekordin vijon ta mbajë muaji qershor i vitit 2019. Për këtë sektor duket se ka dhënë efekt zbatimi i Programit IPARD. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rual, nxiti “Marrëveshjen e Bashkëpunimit” me bankat tregtare në vend, për të lehtësuar kredimarrjen e gjithë aplikuesve, që do të dilnin fitues nga programi IPARD II, dhe nënshkruanin kontratë me AZHBR-në. Proces i cili vijon edhe sot me disbursimin e fondeve në kuadër të Programit IPARD II (2014-2020).

Zgjerimi i financimit ka ndikuar në të ardhurat dhe likuiditetin e prodhuesve dhe eksportuesve, si dhe në rritjen e investimeve në këtë sektor.

Deri më sot përmes Programit IPARD janë paguar plotësisht 367 investime të përfunduara, si dhe 57 investime janë në proces me pagesa pjesore, për të treja masat mbështetëse: Investime në asete fizike në fermë; Investime në agropërpunim; Diversifikimi i fermave.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca shprehet se ka në fokus të punës së saj partneritetin me aktorët e linjës, për rritjen e aksesit në financim të fermerëve dhe kreditimin e bujqësisë.

“Qeveria ka aplikuar disa skema për mbështetjen financiare të sektorit të bujqësisë si, Skema Kombëtare, programi IPARD, si dhe mekanizmat e Skemës së Fondit të Garancisë, të cilat janë zgjidhje për zbutjen e rreziqeve të kreditimit të bujqësisë dhe mbështesin zhvillimin e sektorit”, tha Krifca.

Sipas saj, mekanizëm tjetër që ndihmon rritjen e aksesit në financim e që do të ndihmonte në zbutjen e rreziqeve mund të ishte edhe aplikimi i produkteve të sigurimit të fermerëve.

“Gjithashtu ne aktualisht kemi arritur në një normë disbursimi të fondit të garancisë me BERZH në pothuajse 100 mln euro, por mbeten ende fonde në dispozicion, të cilat nëse nuk përdoren nga bankat, duhet të përdoret nga institucionet e mikrofinancës”, u shpreh ministrja.

Fondet e garancisë përfaqësojnë një instrument inovativ financiar për të inkurajuar kreditimin nga institucionet financiare në të gjithë zinxhirin e vlerës së agrobiznesit dhe në sektorin e turizmit.

Përfituesit janë fermerët, sipërmarrësit dhe kompanitë që janë të angazhuar në prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore, prodhimin dhe tregtinë e pajisjeve bujqësore, logjistikën, ofruesit e shërbimeve të agrobiznesit, tregtarët me shumicë dhe pakicë.

“Injektimi financiar që kemi adresur deri tani, ka transformuar bujqësinë dhe agropërpunimin, nga një sektor prodhues për nevojat lokale, në një sektor modern të orientuar drejt komercializimit dhe konkurrueshmërisë së tregut ndërkombëtar, mbetet ende sfidë për Shqipërinë, por në këtë drejtim ka disa nisma pozitive që kanë rritur aksesin e fermerëve dhe puna vazhdon për të çuar më tej zhvillimin”, deklaroi Krifca.

/ata.gov.al