Një dhomë e fshehur prej kohësh në Muzeun “Cappelle Medicee” në Firence, ku Mikelanxhelo thuhet se është fshehur në vitin 1530 nga familja Medici, do të hapet së shpejti për vizitorët, tnjoftuan sot pronarët e muzeut.
Artisti i Rilindjes besohet se ka qëndruar në dhomën sekrete për dy muaj për t’i shpëtuar hakmarrjes së familjes së fuqishme Medicee, e cila sundoi Firencen për më shumë se tre shekuj.
Dhoma e vogël u zbulua rastësisht në vitin 1975 kur muzeu po kërkonte të krijonte një dalje tjetër për vizitorët. Gjatë rinovimeve, u zbuluan skica qymyrguri në dy shtresa suvaje.
“Skicat e shkëlqyera me qymyr druri në mur i janë atribuar Mikelanxhelos”, tha sot drejtoresha e Muzeut Kombëtar Bargello, Paola D’Agostino.
“Cappelle Medicee” është pjesë e grupit shtetëror të muzeve Bargello.
“Më parë, dhoma ishte përdorur për të ruajtur qymyrin”, tha D’Agostino.
“Vetëm katër vizitorë do të lejohen të vizitojnë në të njëjtën kohë, dhomën sekrete të Mikelanxhelos që nga 15 nëntori”, tha ajo.
Muzeu “Cappelle Medicee” ruan skulptura të shumta të Mikelanxhelos.
Në rrjedhën e një revolte që e çoi familjen në mërgim, Mikelanxhelo tradhtoi ish-patronët e tij dhe u bashkua me kundërshtarët e tyre.
Kur familja u kthye në pushtet disa vite më vonë, artisti kishte frikë për jetën e tij. Thuhet se ai u fsheh në dhomë për dy muaj, duke planifikuar vepra të reja me skicat e tij në mur.
/ata.gov.al