Kalaja e Gjirokastrës vijon të mbetet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga turistët përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në qytetin e gurtë.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bën të ditur se “në periudhën 1 janar-7 gusht Kalaja e Gjirokastrës është vizituar nga 100,713 turistë vendas e të huaj”.
“Vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës për këtë periudhë kanë ardhur duke u rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë kësaj periudhe kalanë e kanë vizituar 50,713 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2022”, tha DRTK Gjirokastër.
Vetëm gjatë muajit korrik, kalaja u vizitua nga 31,637 vizitorë ose 14,999 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2022. Ndërsa në qershor kalaja ishte objekti më i vizituar, pasi aty u zhvillua Festivali Folklorik Kombëtar.
Kalaja është një monument me vlera të rralla historike dhe ndërtimore. Ajo është një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO.
/ata.gov.al