Fluks turistësh në Kalanë e Gjirokastrës, mbi 50 mijë vizitorë 5 muajt e parë të vitit

22

Kalaja e Gjirokastrës, falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart vazhdon të ngelet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në qytetin e gurtë.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bën të ditur sot se “mbi 50 000 vizitorëve vizituan Kalanë e Gjirokastrës për periudhën janar-maj 2024”.

Sipas DRTK Gjirokastër vazhdon rritja e numrit të vizitorëve në Kalanë e Gjirokastrës, ku në periudhën janar-maj pati rreth 50% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të mrekulluar nga çfarë ofron Gjirokastra, turistët vijnë nga vende të ndryshme të botës për të prekur nga afër bukuritë, historinë, traditat e qytetit muze.

Në çdo stinë të vitit kalaja tërheq mijëra vizitorë duke e kthyer atë ne objektin më të vizituar të qytetit të gurtë.

Kalaja e Gjirokastrës  shtrihet në një hapësirë prej 335 metra dhe ndodhet në kodër nga ku shihet gjithë qyteti, si për të dëshmuar historinë e gjithë rajonit në shekuj. Kulmin e historisë së saj e ka pasur në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.

/ata.gov.al