Fluksi i udhëtarëve, nga nesër lundrime të dyfishta të trageteve në Portin e Durrësit

0

Tragetet që lidhin Portin e Durrësit me brigjet italiane dhe anasjelltas prej ditës së neserme nisin lundrimet dyfishe brenda ditës, me qëllim përballimin e fluksit, që aktualisht është i përqendruar në hyrje për në vendin tonë.

Autoriteti Portual Durrës, Kapiteneria e Portit, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Durrës, Dogana dhe të gjithë operatorët që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në portin më të madh në vend, janë duke operuar me kapacitet të plotë për mbarëvajtjen e fluksit të udhëtarëve në prag të festave të fundvitit.

APD në bashkëpunim me të gjitha strukturat që operojnë në port ka marrë masat për krijimin e lehtësive dhe shmangien e vonesave për çdo udhëtar që hyn apo del nëpërmjet portit të Durrësit, duke dyfishuar kapacitetet përpunuese dhe vigjilencën e shërbimeve për ta.

“20 sportele janë vënë në funksion të përpunimit në kohë rekord të pasagjerëve dhe mjeteve, ndërkohë që ka nisur dhe aplikimi i masave shtesë të shërbimeve në Terminalin e Trageteve, të fokusuara kryesisht në rritjen e parametrave të sigurisë dhe shërbimeve që ofrohen nga instancat shtetërore dhe subjektet private në sektorin e udhëtarëve”, bën të ditur APD.

Si çdo Fundviti edhe në kapërcyellin e viteve 2023-2024 parashikohet një rritje e ndjeshme e numrit të udhëtarëve vendas që preferojnë të udhëtojnë me tragete drejt portit të Durrësit, për t’iu drejtuar më pas familjeve të tyre në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

/ata.gov.al