Duke nisur nga qershori i këtij vitit, qytetarët shqiptarë do të mund të udhëtojnë me kosto të ulët edhe drejt tre destinacioneve të reja. Është pikërisht kompania ajrore low-cost Albawings që ka njoftuar shërbimet e reja që do lidhin Tiranën me Gjermaninë, Greqinë si dhe Mbretërinë e Bashkuar. Linja do të operojë me tre fluturime javore për në Dusseldorf dhe Stansted si dhe një fluturim javor për në Heraklion.
“Ne kemi kënaqësinë të mirëpresim këto fluturime të reja, të cilat përforcojnë lidhjet ndërmjet shqiptarëve. E çmojmë bashkëpunimin tonë me Albawings dhe jemi të lumtur të shohim se kompania ka rritur numrin e shërbimeve të saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Tirana International Airport, Dr. Rolf Castro-Vasquez.
Shtimi i këtyre destinacioneve pritet të forcojë lidhjet e rëndësishme ndërmjet vendeve jo vetëm për udhëtarët, por edhe për tregtinë e biznesin. Ndërkohë, kompania njofton se ka nisur edhe shitja e biletave për këto destinacione.