Fondi 94 milionë euro për fermerët, kush mund të përfitojë dhe kushtet e nevojshme

113

Janë të paktën 94 milionë euro që vijnë nga Bashkimi Europian të orientuara tek bujqësia dhe ajo që nevojitet është vetëm plotësimi i disa kushteve. Programi IPARD II i konsideruar si një mundësi e artë për fermerët sikurse është njoftuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural pritet të ketë hapjen e thirrjes së parë për të paktën dy muaj. Kjo do të thotë se nga data 30 nëntor deri në 30 janar 2019 pranë zyrës së Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural mund të dorëzohen aplikimet për të përfituar nga masat e përcaktuara.

Tre masat e parashikuara

Nga fondet e Qeverisë Shqiptare dhe Bashkimit Evropian përmes 94 milionë eurove mbështeten financiarisht:

Masa 1 – Investime në fermë, me një minimum prej 10 000 EURO dhe maksimum 500 000 EURO. Përqindja e mbështetjes është 60% të totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit, 65% nëse investimi bëhet nga një fermer i ri (nën 40 vjeç), 70% për investimet në zonat malore.

Masa 3 – Investime për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, me një minimum prej 25 000 EURO dhe maksimum 2 000 000 EURO. Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 50% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.

Masa 7 – Investime në diversifikimin e ekonomisë në fshat, me një minimum prej 10 000 EURO, maksimumi 400 00 EURO. Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 65% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.

Aplikimet në thirrjen e parë

Investimet që mund të mbështeten nga thirrja e parë e IPARD II pranohen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe mund të jenë aktivë të luajtshme ose të paluajtshme. Aplikuesit duhet të kenë mjete të mjaftueshme financiare për të financuar paraprakisht investimin ndërkohë që duhet të dorëzojnë të gjitha dokumentet mbështetëse të kërkuara sipas formularëve përkatës dhe Biznes Planin. Po kështu duhet të jenë Pronarë të tokës apo ndërtesave ku ushtrohet aktiviteti bujqësor brenda territorit Shqiptar ose ta kenë me Qira 10 vjeçare. Pë rata që kanë investime në pajisje dhe makineri ato duhet të jenë të Reja dhe të respektojnë rregullin e Origjinës.

Kriteret e përgjithshme

Ministria e Bujqësisë sqaron se janë një sërë kriteresh që duhet të përmbushen ku së pari skema e grantit do të mbështesë vetëm investimet dhe kostot që do të zbatohen pas firmosjes së Kontratës së Grantit.  Nga ky rregull përjashtohen vetëm kostot e përgjithshme deri në nivelin prej 12% te totalit te shpenzimeve të pranueshme shpenzimet e paguara për përgatitjen e planit të biznesit deri në nivelin prej 4% të kostove të përmendura me lart por me kusht që të mos kalojnë shumën 5,000 Euro. Aplikantët nuk janë të detyruar në asnjë rast ta kryejnë këtë pagesë përpara rimbursimit të fondit.

Të gjitha investimet duhet të përputhen me të gjitha Standardet Minimale Kombëtare përkatëse dhe në fund të investimit me Standardet e BE lidhur me mbrojtjen e mjedisit, shëndetin e kafshëve, mirëqenien e kafshëve, shëndetin e bimëve, sigurinë dhe  cilësinë ushqimore.