FOTO/ Banesa “Çabej” restaurohet prej studentëve nga Ballkani

306

Kampi i Restaurimit i organizuar nga CHwB, organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij në qytetin e Gjirokastrës, sapo ka përfunduar.

Megjithatë mendja, zemra dhe puna e duarve të studentëve nga i gjithë Ballkani kanë mbetur në suvatë, tavanët e gdhendur dhe dyshemetë e shtëpisë “ÇABEJ”, monument kulture i Kategorisë I.

Kampi i restaurimit zgjati 11 ditë, prej datës 10 deri më 21 shtator 2018, por te banesa ÇABEJ akoma punohet, janë kursantët dhe ustallarët e kursit mbi teknikat tradicionale të ndërtimit organizuar po nga CHwB.

Materiale dhe teknika tradicionale, suva tradicionale me baltë, lesh dhie e kashtë, skrupulozitet në gdhendjen e detajeve të dekorëve të tavanëve dhe integrimin e pjesëve të reja me ato ç’kanë mbetur nga e vjetra, lyerje, restaurim dyshemesh e dollapësh të vjetër. Kur futesh në këtë objekt të krijohet përshtypja se je në një shkollë restaurimi.

Banesat, një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të Mesjetës së Vonë, luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit të Gjirokastrës.