Foto-Dokument/ Kola, shqiptari që fliste 18 gjuhe të ndryshme në vitin 1920

30

Në vitet ’20 në Shqipëri do të vinte një mision amerikan që do të angazhohej për të kapërcyer pasojat e Luftës së Parë Botërore.

Misionarët e Kryqit të Kuq Amerikan do të ofronin strehim, ushqim, vizita mjekësore e arsimim për popullatën shqiptare

Shqiptari i shumëkërkuar nga misionarët amerikanë në vitet ’20:

Ai është një xhevahir, flet 18 gjuhë dhe të gjitha në mënyrë të mençur!

Në misionin e tyre, ata do të asistoheshin nga shqiptarë të ndryshëm të cilët do të ofronin shërbimet e tyre për sigurinë fizike, transportin, përkthimin etj.

Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, misionarët amerikanë do të dokumentonin me foto punën e tyre e do të jepnin përshtypjet e tyre për vendin.

Aftësitë gjuhësore të shqiptarëve e sjellja e tyre do t’i impresiononte misionarët e huaj e për këtë qëllim ata do të bënin vlerësime pozitive.

Në listën e personazheve që misionarët i kanë cilësuar si të jashtëzakonshëm ishin edhe dy përkthyes.

Në arkivin e Librarisë së Kongresit Amerikan gjendet fotoja e përkthyesit kryesor që quhej Kolë.

Ai konsiderohej nga misionarët amerikanë si një burrë i ndershëm e i besueshëm.

Kola kishte punuar për 30 vite në konsullatën e Francës në Shkodër ndërsa në vitin 1920 i ishte bashkuar misionit të Kryqit të Kuq si përkthyes dhe si mesazher konfidencial.

“Të gjithë punonjësit e misionit amerikanë shprehen se ai është një “xhevahir” dhe ky është një kompliment i madh për një burrë që i vjen doresh” shkruhet në diçiturën që shoqëron foton.

Reputacioni i tij do të dilte edhe jashtë vendit, ku gazeta amerikane do të shkruanin për aftësitë e shqiptarit që fliste 18 gjuhë të ndryshme “në mënyrë të mençur”.

Një personazh tjetër i jashtëzakonshëm për aftësitë komunikative që evidentohet në arkivën e misionit amerikan është edhe një djalë i vogël që fliste 5 gjuhë të ndryshme.

Në diçiturën që shoqëron foton, djali nga Tirana cilësohet si një “talent i ri dhe premtues” në fushën e gjuhësisë.