FOTO/ Drejt përfundimit restaurimi i banesës monument kulture kat. 1, e piktorit Sali Shijaku

35

Ka përfunduar faza e parë e punimeve për restaurimin e banesës së piktorit të njohur Sali Shijaku , e cila kishte pësuar dëmtime për shkak të tërmetit të vitit që shkoi.

Falë përkushtimit të specialistëve pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Drejtorisë Rajonale të Tiranës, por edhe bashkëpunimit me banorët e shtëpisë, u arrit realizimi i një sërë punimesh shumë të rëndësishme për jetëgjatësinë e monumentit, që nga vendosja e trarëve, ndërrimi i dyshemesë, i grilave, për të nisur një fazë të dytë, atë të restaurimit të çatisë.

Banesa e Shijakasve, monument kulture i kat. I është ndërtuar në gjysmën e parë të shek. XIX dhe paraqet fazën më të zhvilluar të banesës tiranase së “shtëpisë së zjarrit”. E ndodhur në Rr. “Vildan Luarasi”, Nr 16, është shembull tipik i banesës tiranase.

Ajo ka planimetri katërkëndëshe të rregullt me dy kate. Dhoma kryesore e saj është shndërruar në një galeri arti, ku janë ekspozuar veprat e piktorit Sali Shijaku.
Kjo banesë është një nga pikat më të vizituara në Tiranë.