FOTO/ Investimi 2 miliardë euro, ja si do të duket Porti i Durrësit

36

Porti i Durrësit do të transformohet në Marinën më të madhe në Mesdhe, një investim, më i madhi i huaj në Shqipëri prej 2 miliardë eurosh nga Emaar Group, një prej kompanive më të mëdha të botës, me vepra ikona të turizmit në botë, siç janë Burj Khalifa apo Dubai Opera.

Studio urbanistike e Emaar Group në Dubai ka publikuar maketin që tregon transformimin që do pësojë porti i Durrësit.

Në nëntor të vitit të shkuar, qeveria shqiptare dakordësoi një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe për transformimin e hapësirës portuale të Portit të Durrësit, një investim i cili pritet të transformojë totalisht pamjen dhe kapacitetin e këtij porti, me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale dhe kombëtare.

Marina turistike e parashikuar, pritet të ketë hapësirë dhe kapacitete dyfish më të mëdha, krahasuar me marinën më prestigjioze në Mesdhe deri më tani, që është ajo e Porto Montenegros.

Porti i ri pritet të ketë infrastrukturë të përmirësuar për ankorimin e mjeteve lundruese, çka do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në vend.

Kompania Emaar, përveç transformimit të hapësirës portuale, synon një mori investimesh transformuese, duke përfshirë rindërtimin e pjesës së bregut të detit, ku do të ndërtohen dhe ambiente argëtuese, qendra tregtare, apartamente e ndërtime hotelerie me 5 yje.