FOTO/ Lëvizja në sitet turistike, drejt përfundimit asfaltimi i rrugës së Kalasë në Berat

46

Në qytetin e Beratit është drejt përfundimit asfaltimi i rrugës “Muzak Topia”, e njohur si rruga e Kalasë.  “Rruga e lagjes “Kala”është një nga shumë projektet infrastrukturore që lehtësojnë lëvizjen drejt siteve turistike, por edhe një investim i domosdoshëm për banorët e kësaj zone emblematike të qytetit”.

Ndërhyrjet e projektit konsistojnë në zgjerimin e trupit të rrugës, ku përfshihen edhe trotuaret me shtrim me pllaka guri, për ndriçimin e rrugës; punime për kanalizimet e ujërave të bardha, për rikonstruksionin e sheshit të lapidarit me kalldrëm, për krijimin e hapësirës së parkimit për automjetet/autobusët e turistëve, si dhe punime për gjelbërimin e të gjithë segmentit.

Berati, qyteti unik në listën e pasurive të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, i ngritur buzë lumit Osum, rreth 2400 vjet më parë, është një nga destinacionet turistike kryesore në vend. Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella, ose kalaja, siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta.

Në kalanë e lashtë mbi kodër të banuar edhe sot rrugët dhe rrugicat presin mijëra vizitorë në të gjitha stinët e vitit.