FOTO/ Mijëra vizitorë, Thethi i preferuari i turistëve

32

Mbi 5 mijë turistë vendas e të huaj zgjodhën si destinacion gjatë muajit korrik parkun Kombëtar të Thethit. I ndodhur 70 km larg Shkodrës, ky park vitet e fundit po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

Në këto ditë të nxehta vere sidomos në fundjavë shumë turistë vendas, por edhe të huaj preferojnë të zgjedhin Thethin, për të shijuar natyrën e bukur, ajrin e freskët dhe ushqimet bio të zonës.

Gjatë ditëve ka patur rreth 300 turistë në ditë, ndërsa në fundjavë mbi 500 turistë.

Veçori këtë vit është se mbi 60-70% e turistëve janë vendas.

Pikat kryesore që vizitohen jane Monumenti e Natyrës si Syri Kaltër, vaskat në Ndërlysa. Ujëvara e Grunasit, kanioni i Grunasit, shtegu Theth-Valbonë, shpella e Arapit, Shtegu i Bjeshkëve të Namuna etj.

Thethi gjendet në mes të Alpeve në veri të Shqipërisë, 70 km nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet, Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit. Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.

Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.

Thethi është i vizitueshëm në katër stinët, ku në pranverë dhe verë për gjelbërimin e rrallë, në dimër për bardhësinë e dëborës dhe për lojërat aventureske me të, ndërsa vjeshta për ngjyrat mahnitëse dhe begatinë në frutikulturë.