FOTO/ Monument me vlera unikale, nis restaurimi i Kishës së Manastirit të Rubikut

69

Kisha e Manastirit të Rubikut, në Mirditë, monument kulture i kategorisë së I-rë, po i nënshtrohet restaurimit nga ekspertë të UNOPS-it.

Ndërhyrjet e programit EU4Culture, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës janë në vazhdim në Kishën e T’Shëlbuemit në Rubik.

Një pjesë e rëndësishme e punimeve të konservimit ka të bëjë me stabilizimin emergjent të asaj çka ka mbetur nga pikturat murale të shekullit të 13 -të.

Pikturat janë në muret e absidës së Kishës dhe po “mbrohen” nga specialistë të ruajtjes së veprave të artit.

Kisha e Rubikut ndodhet mbi një kodër shkëmbore në qytetin e Rubikut. Kisha përfaqëson një objekt të rëndësishëm kulti të shek XII- XIII. Ajo ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1272.

Vlerë unikale e saj janë afresket, piktura murale të stilit bizantin. Godina është monument kulture dhe paraqet interes të veçantë në aspektin ndërtimor dhe arkitektural. Kisha e Rubikut ka shërbyer si abaci benedikte dhe kuvend françeskan.