FOTO/ Muzetë e Beratit, destinacioni i preferuar i fundjavës për qindra vizitorë

12

Muzetë e Qendrës Muzeore Berat, Muzeu Ikonografik Onufri dhe Muzeu Etnografik vijojnë të jenë destinacionet më të kërkuara nga turistët e vizitorët vendas e të huaj.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat bën të ditur se “në këtë fillim viti Muzeu i Ikonografisë Onufri dhe Muzeu Etnografik vazhdojnë të jenë destinacione të përzgjedhura të vizitorëve vendas dhe të huaj që vijnë në Berat, veçanërisht në fundjavë. Numri i tyre është në rritje e duke i krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti me parë janë 133% vizitorë më shumë”.

“Edhe të ardhurat e siguruara, rezultojnë të jenë 120% më shumë se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këto shifra tregojnë se po kthehemi gradualisht në normalitet”, thekson Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat.

Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Ky tip banese është ndërtuar nga shtresa e pronarëve të tokave, të cilët jetonin në qytetet me rente feudale. Është banesë dykatëshe, me çardak në njërin krah. Kati përdhes (hajati) është i pabanuar. Lidhja me katin e dytë është bërë me shkallë guri, të ndërtuara mbi qemerë në harkada guri.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1 500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë.